Largimi i Megi Pojanit nga “Për’puthen”? Top Channel thyen heshtjen pas zërave

TvShow

Për dy ditë me radhë, aludimet mbi largimin e mundshëm të Megi Pojanit nga drejtimi i “Për’puthen” për sezonin e ardhshëm kanë mbizotëruar në rrjetet sociale.

Sipas informacioneve të publikuara nga Prive By Liberta Spahiu, moderatorja është drejt përfundimit të rrugëtimit të saj trevjeçar në këtë emision, teksa pritet të ketë ndryshime edhe në stafin drejtues dhe autorësinë e formatit.

Mes gjithë këtyre zërave, ka reaguar “Për’puthen” së bashku me Top Channel, megjithatë, ata kanë shmangur një përgjigje të qartë apo të drejtpërdrejtë lidhur me moderimin.

Kanali zyrtar i programit ka shpërndarë një njoftim ku shkruhet: “Thuhet se ka ndryshime në Për’puthen, thashetheme apo?” Ndërsa në përshkrimin e postimit thuhet: “Aplikimet hapen së shpejti, a jeni gati? 🍎”.

Edhe pse ky reagim vërteton se “Për’puthen” është në fazat e përgatitjes për sezonin e ri, Top Channel mbetet ende i rezervuar sa i përket detajeve mbi ndryshimet ose emrit që do të marrë në dorë drejtimin.

Aktualisht, largimi i Megi Pojanit është vetëm një raportim i mediave, pasi nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare që të prezantojë një zëvendësuese; përkundrazi, në platformat e Top Channel, ajo vijon të shfaqet si imazhi i sezonit të kaluar.

Ndërsa në opinionin publik po përfliten disa emra si pasues të mundshëm, mbetet ende enigmë nëse postimi i fundit shërben vetëm si një nxitje për sezonin e ri, apo është paralajmërimi i parë për ndryshimet e mëdha në “Për’puthen”.

Lajmet e fundit