Shqipëria rrezikon të luajë finalen ndaj Finlandës me ekip të përgjysmuar, telashe për Maran!

Ndeshjet e Kombëtares shqiptare ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë kanë një rëndësi
të jashtëzakonshme për kuqezinjtë dhe rrugëtimin e tyre drejt objektivave të vendosur në Ligën e Kombeve,
por edhe për shpresat për të siguruar një biletë në play-off të Europianit.
Shqipërisë i duhet medoemos t’i mbyllë të dyja takimet pa humbje, çka do të thotë se futbollistët e drejtuar nga trajneri Maran duhet të luftojnë për çdo top. Megjithatë, përballja me Finlandën do të ketë një vështirësi shtesë për disa prej lojtarëve kuqezi.
Plot tetë futbollistë kanë marrë më parë kartonë të verdhë dhe rrezikojnë të pezullohen për ndeshjen pasuese, nëse ndëshkohen sërish ndaj Finlandës. Kjo do të ishte një mungesë e rëndësishme për sfidën vendimtare kundër Bjellorusisë.
Berat Gjimshiti, Kristjan Asllani, Stavro Pilo, Ylber Ramadani, Ardian Ismajli, Myrto Uzuni dhe Alen Sherri janë pjesë e listës së futbollistëve të grumbulluar nga Maran që duhet të bëjnë kujdes me kartonët.
Emri i tetë është Anis Mehmeti, i cili gjithashtu ka një karton të verdhë nga ndeshjet e mëparshme, por nuk është përfshirë në listën e trajnerit për këtë grumbullim.
Për rrjedhojë, futbollistët e grumbulluar duhet të tregojnë kujdes maksimal ndaj Finlandës, pasi një tjetër ndëshkim mund t’i lërë jashtë përballjes me Bjellorusinë. Një mungesë e tillë do të ishte një goditje për Shqipërinë në një moment vendimtar të këtij rrugëtimi.
